Apel i përbashkët i Qeverisë, KOM-KO, BFI-së dhe Kishës Katolike, drejtuar të gjithë qytetarët të respektojnë masat e miratuara me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.
Kryeministri, Zoran Zaev, i shoqëruar nga Drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, Darijan Sotirovski, u takua me krerët e bashkësive fetare në vend të përmendura në Kushtetutë - të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopata e Ohrit, Kryepeshkopin e Ohrit dhe Maqedonisë z. z. Stefan, të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema haxhi hfz. Shaqir efendi Fetai dhe të Kishës Katolike, Imzot Dr. Kiro Stojanov, Ipeshkv i Shkupit dhe Ipeshkv i Strumicës-Shkupit.
Në këtë takim u diskutua për masat e menaxhimit të pandemisë, si dhe për çështje të tjera aktuale me rëndësi për bashksëitë fetare dhe shtetin.
U konkludua se nga ky takim Qeveria dhe KOM-KO, BFI dhe Kisha Katolike do t’i dërgojnë apel të përbashkët, të gjithë qytetarëve, për respektim të masave të miratuara nga Qeveria.
Gjithashtu, u shpreh mbështetje nga të gjitha bashkësitë fetare për procesin e vaksinimit dhe iu dërgua thirrje e përbashkët të gjithë qytetarëve të aplikojnë për vaksinim, në mënyrë që të kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit të tyre dhe shëndetit publik.
Drejtuesit fetarë të pranishëm në takim theksuan se mbrojtja e shëndetit nuk është vetëm detyrim i shtetit, por edhe detyrim fetar sepse çdo person është i detyruar, si nga ana shoqërore ashtu edhe sipas fesë, të jetë në shërbim të shëndetit.
Bashkërisht u dakorduan se në këto momente kur njerëzimi po përballet me një virus të paparashikueshëm, kemi nevojë për arsyeshmëri nga të gjithë besimtarët, sepse sëmundja nuk zgjedh fe dhe kombe.
Në takim u vlerësua bashkërisht se respektimi i masave do të varet nga mënyra se si qytetarët do t'i kalojnë festat e ardhshme: Pashkët dhe Ramazan Bajramin, dhe është e qartë se të gjithë kanë dëshirë të festojnë festat e mëdha fetare në paqe dhe qetësi dhe së bashku me të dashurit në familje.
Kryeministri Zaev shprehu mirënjohje për udhëheqësit fetarë për nevojën që së bashku të ballafaqohen me pasojat e pandemisë, nga e cila përfitojnë të gjithë njerëzit. Ai paralajmëroi takime me përfaqësues të bashkësive të tjera fetare në vend.
Në takim u diskutuan edhe çështje të fushës së denacionalizimit të pronës dhe të arsimit dhe u vendos që të ketë kontakte shtesë, në mënyrë që zgjidhjet të përmbyllen në interes të shtetit dhe bashkësive fetare dhe qytetarëve.
Përfaqësuesit e bashkësive fetare të pranishëm në takimin e sotëm i shprehën mirënjohje Kryeministrit Zaev për gatishmërinë për bisedime dhe bashkëpunim, çdoherë kur është e nevojshme.